Bashkia e Tiranës po vijon me ritme të shpejta punën për rehabilitimin e hapësirave mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në terren, ku ekipet po ndërhyjnë për transformimin e zonës, e cila pas investimit pritet ta rrisë vlerën e pronës përreth me 30-40%. Veliaj tha se do të kryhet edhe unifikimi i fasadave përmes Fondit të Komunitetit.
“Këtu po bëjmë një investim që do ta rrisë jashtë mase vlerën e pronës. Njerëzit do rikthehen nga pushimet me një shtëpi që vlen të paktën 30-40% më shumë, vetëm prej faktit se do të ketë kanalizime, ndriçim LED, infrastrukturë, një ‘ishull’ për të moshuarit”, tha Veliaj.
“Sigurisht, – shtoi ai, – do të doja që të vijonim edhe me unifikimin e fasadave. Kush i ka pasur mundësitë, e ka bërë vetë tashmë. Por, të tjerët që e kanë pasur më të pamundur, nëse janë me aftësi të kufizuar, nëse janë pensionistë, pjesën e tyre e paguan Bashkia. Dua që këtu të japim shembullin se çfarë do të thotë ndërhyrja kapilare. Shumë njerëz, me të drejtë thonë që, deri sa të vijë asfalti te shtëpia ime, që këmba të mos më shkelë në baltë, projekti i Tiranës nuk quhet i mbaruar. Mund të kemi bërë 90% të punës, po nuk quhet i mbaruar deri sa t’i shkojmë secilit te dera e shtëpisë.”
Një ftesë, Veliaj e pati për të gjithë banorët e zonës, që të regjistrojnë fëmijët në çerdhet, kopshtet dhe shkollat pranë shtëpive të tyre, të cilat janë ndërtuar me të njëjtin standard, si ato në qendër të qytetit.
Ai shtoi se në këtë formë krijohet mundësia për t’i shërbyer fëmijëve pa u mbivendosur, duke ofruar të njëjtin shërbim në të gjitha institucionet.
“Duam që secili të shkojë te kopshti, çerdhja ose shkolla më e afërt. Tani që është hapur “Xhezmi Delli” do të duhet të shkojmë aty sepse në momentin që ne ngarkojmë një shkollë tjetër, atëherë do të kemi në mënyrë të paarsyeshme shkolla me dy turne, kurse shkolla ngjitur mbetet me klasa bosh. Do të respektojmë njësitë administrative, secili do të shkojë në shkollën më të afërt”, tha Veliaj.
“Mësuesit shpërndahen sipas portalit, ndërkohë shkollat janë me të njëjtin standard në të gjithë Tiranën. Ta respektojmë faktin që mbi 40 shkolla të reja, plus 101 kopshte dhe çerdhe, t’u shërbejnë fëmijëve pa u mbivendosur mbi njëra-tjetrën, me të njëjtin shërbim, të njëjtin ushqim, të njëjtat edukatore, të njëjtët psikologë, të njëjtat sisteme ngrohje-ftohje”, tha ai.
Projekti i bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e kësaj zone përmban krijimin e një sheshi, ndërkohë që në kryqëzimet ekzistuese do të bëhet rakordimi i kthesave, i përshtatshëm për mjetet e lejuara.
Sheshi parashikohet të kufizohet me trotuare që do të kenë gjerësi minimalisht 1 metër, ndërsa në të dyja anët do të realizohet një hapësirë e shtruar me pllaka që do të jetë e ndërthurur me gjelbërim.
Bashkia e Tiranës do të realizojë një rrjet të ri kanalizimesh në këtë zonë, duke zëvendësuar pusetat e vjetra./ata