Shumë të rinj sot i janë kthyer studimeve dhe sipërmarrjeve në sektorin e bujqësisë, me vizion të qartë për të ardhmen e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale historinë e dy vëllezërve, Demian dhe Lutfi, që me pasionin e tyre për bujqësinë kanë ngritur një fabrikë të përpunimit të vajit të ullirit në Mollas të Korçës.

Denaj tha se, përmes kësaj sipërmarrje, ata i vijnë në ndihmë edhe banorëve të zonës për përpunimin e vajit të ullirit.

“Bujqësia është një mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme, duke kontribuar në ekonominë familjare dhe atë lokale, si dhe në përmbushjen e vizionit Bujqësia 2030”, u shpreh ministrja.

Njëri nga të rinjtë, Demiani ka mbaruar studimet për shkenca agronomike dhe sot është angazhuar me punë në fabrikën e familjes së tij.

Ai tregon se, zona është me potenciale të larta të prodhimit të ullirit dhe ishte babai i tij që mori iniciativën për ngritjen e fabrikës së përpunimit të ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit, ku punojnë familjarisht bashkë me vëllain e tij Lutfiun.

Lutfiu ka studiuar për shkenca mekanike, dhe është i përkushtuar në cilësinë dhe standardet e pajisjeve teknologjike që garantojnë prodhim sipas parametrave më të mirë. “Ne synojmë investimin në teknologji që rrisin standardet dhe cilësinë. Së fundi kemi implementuar linjën e paketimit dhe ambalazhimit për vajin e ullirit që garanton prodhim të sigurt”, tha ai.

Vëllezërit Aga shprehen optimistë për investimin e ndërmarrë dhe synojnë të shtojnë më tej prodhimin dhe të zgjerojnë tregun e shitjeve./ata