Forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor ka ardhur si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.

Kështu u shpreh sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë prezantimit të Raportit vjetor 2023 të institucionit që ai drejton, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, teksa vuri në dukje se, “forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit”.

Guvernatori bëri të ditur se gjatë vitit 2023, është ndërhyrë me pak se në vitin 2022 në rritjen e normës së interesit, çka pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale.

“Gjatë vitit 2022 ne kryem pesë rritje të normës të interesit, për një efekt kumulativ prej 2.25 pikësh përqindjeje, gjatë vitit 2023 ne kryem vetëm dy rritje të normës bazë, me një efekt kumulativ prej 0.5 pikësh përqindjeje. Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale. Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme”, deklaroi Sejko.

Sipas tij, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike.

“Analizat tona kanë synuar të identifikojnë arsye, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Në këto rrethana forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Kontribuoi në kontrollin e inflacionit duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe mundësoi një normalizim me gradual të qëndrimit politikës sonë monetare gjatë 2023, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e rajonit. u shpreh Sejko.

Guvernatori vuri në dukje se, ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me një nivel relativisht të lartë informaliteti. Fenomen që ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomikë të vendit, përfshi potencialisht edhe kursin e këmbimit.

Lidhur me këtë temë, Sejko tha se, “Banka e Shqipërisë ka marrë vazhdimisht masa për reduktimin e informalitetit, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit të pagesave, nëpërmjet prezantimit të kërkesave rregullatore që mundësojnë dhënien e kredive vetëm kundrejt bilanceve të certifikuara fiskale të bizneseve, si dhe nëpërmjet zbatimit të të gjitha ndryshimeve të nevojshme mbikëqyrëse rregullatore, të cilat janë në fushën e kompetencës së BSH-së, në kuadër të planit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit”.

Guvernatori theksoi se, adresimi i plotë i këtij problemi kërkon vëmendje të mëtejshme. “Ai duhet të adresohet si përmes forcimit dhe koordinimit të punës së të gjitha agjencive ligjzbatuese, ashtu dhe përmes reformave të mëtejshme strukturore në mbështetje të formalizimit të ekonomisë”, tha Sejko./ata