Gjykata Kushtetuese po shqyrton në një seancë të hapur gjyqësore padinë e opozitës për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin për profesionet e lira nga 1 janari.

Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë të opozitës. Më 25 prill Kushtetuesja pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e opozitës,  ndërsa janë në fazë paraprake tre padi të tjera. Nga radhët e opozitës, mbrojtësi ligjor është Marash Logu, i cili shoqërohet nga deputetët e PD, Jorida Tabaku dhe Emilia Koliqi.

Paditë e tjera u depozituan në mars për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA), si edhe padia e Avokatisë së Shqipërisë për moszbatimin e ligjit si antikushtetues.

“Ne kemi kërkuar të shfuqizohet ligji për të gjitha profesionet e lira, jo vetëm kontabilistët, avokatët..etj. Pra është reduktuar kërkesa jonë. Në bashkimin e tre padive, nuk do të duhej të reduktohej kërkesa e paraqitur nga deputetët e opozitës. Duhet të pezullohet ligji për të gjitha profesionet e lira, jo vetëm një pjesë”, tha Logu.

Avokati Marash Logu kërkoi vendimmarrje të shpejtë, duke cituar dhe nenet të cilat sipas tij bien në kundërshtim me Kushtetutën. “Kërkesat për pezullim që janë bërë dhe nga entet e tjera, duhet të shihet në trajtë emergjente. Ne kemi dërguar në shkurt 2024 kërkesën, kanë kaluar disa muaj, dhe karakteri i emergjencës zbehet. Duhet të respektohet afati i nenit 27, ku caktohet një afat dhjetëditor për vendimmarrje” tha Logu.

Avokati i grupit parlamentar të PD ka bërë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të bashkuar dy padi të tjera, përkatësisht ajo e dorëzuar nga avokati Lulzim Allushaj në emër të profesionistëve të lirë dhe tjetra e dorëzuar nga shoqata e Autoshkollave, që lidhen me të njëjtin objekt.

Ndërkohë nga radhët e qeverisë i pranishëm ishte zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Niko Lera, teksa nga radhët e Kuvendit ishte e pranishme Mimoza Arbri. “Neni 69, nuk trajton vetëm të punësuarit, por edhe individët tregtarë dhe brenda ligjit janë caktuar dhe lehtësitë ligjore për grupe të caktuara të sipërmarrjes, dhe pezullimi i ligjit do të sillte si pasojë humbjen e këtyre lehtësive. Afati i zbatimit të ligjit ka nisur, kësti i parë ishte 31 mars dhe ka patur efektet e tij. Pezullimi do të sillte probleme edhe në buxhetin e shtetit pasi në planifikimin vjetor janë përfshirë të ardhurat që mblidhen nga kjo taksë”, tha përfaqësuesja e kuvendit, Mimoza Arbri.

Trupa gjykuese u shpreh se objekti i padive është i njëjtë, por kërkesa e opozitës do trajtohet në mënyrë autonome nga tre paditë  e tjera, të cilat janë në fazë paraprake. Trupa gjykuese pranoi të shqyrtojë në thelb kërkesë padinë./ata