Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se është koha që me programin e Partisë Demokratike të Shqipërisë të bëjmë realitet ndryshimin që të gjithë shqiptarët kërkojnë.
Basha në një postim në rrjetet sociale thekson se “Shqipëria kryeson listën e azilkërkuesve në Europë, ndërsa Edi Rama vazhdon shfaqjet e shtrenjta. U jep leksione vendeve të BE, të cilat numërojnë mijëra emigrantë shqiptarë që kërkojnë azil, pasi s’kanë mundësi ekonomike të jetojnë në vendin e tyre”.
“Koha për t’i dhënë fund propagandës, është tani. Është koha për t’i dhënë fund korrupsionit me pasuritë e shqiptarëve dhe për t’u dhënë atyre mundësi të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre”, tha Basha.
“Shqipërisë ia ka mundësuar Zoti të gjitha për t’u bërë vend i begatë dhe i zhvilluar, ata që e kanë penguar janë politikanët e korruptuar që e kanë mbajtur peng për interesat e tyre. Ndaj është koha që me programin e Partisë Demokratike të Shqipërisë të bëjmë realitet ndryshimin që të gjithë shqiptarët kërkojnë!”, përfundon Basha./ata