Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), Klodiana Spahiu dhe anëtari i delegacionit, Fadil Nasufi, morën pjesë në punimet e Takimit të Dytë të Forumit Ekonomik Parlamentar të Marakeshit, organizuar nën kujdesin e Kryetarit të Dhomës së Këshilltarëve të Mbretërisë së Marokut, Enaam Mayara, njëkohësisht President i PAM.
Pjesëmarrës në këtë forum janë përfaqësues të delegacioneve të vendeve anëtare dhe anëtarëve të asociuar te PAM.
Qëllimi i këtij Forumi është adresimi i sfidave të përbashkëta të rajonit të Euro-Mesdheut dhe vendeve të Gjirit.
Temat e diskutimit gjatë këtij Forumi ishin “Sigurimi i furnizimit me energji dhe tranzicionit të gjelbër në rajonet euro-mesdhetare dhe të Gjirit: Sfidat dhe mundësitë” dhe “Sipërmarrja në një botë digjitale dhe sfida e Inteligjencës Artificiale”.
Gjatë punimeve dy ditore të Forumit u prezantua Guida e Parlamentarëve për Mbrojtjen e Detit dhe Bregdetit të Mesdheut.
Në kuadër të këtij takimi organizohet edhe Takimi i Bordit Këshillimor dhe Koordinues të Formit të Grave Parlamentare të PAM.
Ky Forum synon avancimin e pjesëmarrjes së plotë të grave në politikë si edhe fuqizimin ekonomik e social të grave në shtetet anëtare.
Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit pranë PAM, Klodiana Spahiu është zgjedhur Zëvendëspresidente e këtij forumi.
Gjatë takimit dy ditor Forumi do të diskutojë mbi prioritetet e tij strategjike për periudhën 2024-2026.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Spahiu, u shpreh se “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave janë bërë pjesë integrale e agjendës politike dhe zhvillimore ndërkombëtare për disa dekada tani dhe ato janë në qendër të progresit drejt dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ndërsa, në parlamentet tona ne kemi rregulluar me ligj barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, ka ende sfida që duhet t’i adresojmë”.
Spahiu propozoi se, disa fusha që duhet të jenë ne vëmendjen e Forumit në strategjinë e tij 2-vjeçare janë: shëndeti fizik dhe psikologjik i grave, dhuna digjitale ndaj grave si edhe ndërmarrja e disa hapave konkretë drejt promovimit të politikave kundër ngacmimit dhe diskriminimit të grave në politikë.
Diskutimet dhe konkluzionet e Bordit Këshillimor dhe Koordinues të Formit të Grave Parlamentare të PAM iu prezantuan pjesëmarrësve në Forumin e Dytë Ekonomik Parlamentar të Marrakesh./ata