Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimet në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.

 

Përmes një njoftimi për shtyp, Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se, pas analizës së tregut u konstatua se, çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nga kompanitë që operojnë në treg, nuk janë të përafërta.

 

“Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim raportin e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal. Në përfundim të analizës së çmimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, rezultoi se, gjatë periudhës hetimore, rritja e çmimit të shitjes me shumicë e bërë prej ndërmarrjeve nën hetim ka reflektuar rritjen e çmimit mesatar të importit. Po ashtu, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nuk janë të përafërta për këto ndërmarrje”, thuhet në njoftimin e AK.

 

Pas kësaj, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e hetimit të thelluar ndaj këtyre ndërmarrjeve.

 

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës shqyrtoi dhe raportin mbi hetimin paraprak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

 

“Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të shitjeve me shumicë të produktit beton, në qarkun e Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit vërehet se çmimet e aplikuara nga ndërmarrjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe ritmi i ndryshimit të tyre është i ndryshëm, duke mos vërejtur shenja të caktimit të çmimeve apo koordinimit të tyre në ritmin e rritjes apo të zbritjes në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës””, bën të ditur AK.

 

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të paraprak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës.