Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “këtë sezon të ri turistik duhet të jemi shumë të koordinuar, pasi presim një rritje prej 40% të turistëve krahasuar me vitin e kaluar”.

Gjatë vizitës në Vlorë e shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, Kumbaro vizitoi mjediset e hotelit NOBUS që e cilësoi risi në standardet e hotelerisë në qytetin bregdetar të Vlorës.

“Standardi që keni ndërtuar është shumë i mirë, ne duam t’i promovojmë këto investime pasi të gjitha kursimet tuaja i keni hedhur në një investim të tillë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “është shtuar tregu i turizmit dhe duhet të jemi shumë të koordinuar”.

Një prej pronarëve të këtij hoteli tha se “gjatë fundjavave kemi pasur klientë nga qytete të ndryshme të vendit, por kryesisht janë turistë të huaj nga shtete si Spanja, Franca, Italia, Suedia, Norvegjia etj”.

“Aktualisht kemi 25 të punësuar, një pjesë e stafit ka ardhur nga jashtë vendit si Venezuela, Argjentina, Italia”, tha ai.

Ky hotel është ndërtuar nga dy djem të rikthyer nga emigracioni, të cilët kanë sjellë konceptin e një oazi ndërkombëtar të mikpritjes, ku turistët nga e gjithë bota të ndihen si në shtëpi./ata