Qeveria miratoi metodologjinë e llogaritjes së fondeve për financimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ky vendim ka për qëllim përcaktimin e metodologjisë së llogaritjes së fondeve të financimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe procedurën që do të ndiqet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Procesi i realizimit të procedurave të financimit nga buxheti i shtetit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, në nivel vendor, kryhet në kuadrin e fondit social, përfshirë financimin e shërbimeve të specializuara komunitare, të këshillimit me telefon ose online, të ofruara në nivel qarku.

Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, duke u bazuar në planet sociale vendore të kostuara dhe në prioritetet kombëtare për shtrirjen e shërbimeve të kujdesit shoqëror, parashikon në buxhetin e saj fondin e nevojshëm për financimin e tyre në formën e transfertave të kushtëzuara, në kuadër të programit buxhetor afatmesëm, të cilat i transferohen pushtetit vendor, ku funksionojnë/do të funksionojnë këto shërbime.

Lidhur me procedurat e përzgjedhjes dhe llogaritjes së financimit të shërbimeve, në vendim përcaktohet se do të jetë Drejtoria përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror pranë njësive të vetëqeverisjes vendore e cila do të mbledhë dhe analizojë të dhënat demografike bazë; profilin dhe karakteristikat e kategorive në nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror, të ndara sipas gjinisë, moshës, aftësisë së kufizuar, origjinës etnike dhe/ose kategorive të tjera në nevojë; listën e shërbimeve ekzistuese dhe shpërndarjen e tyre në territorin e bashkisë ose në qarkun, ku bën pjesë bashkia përkatëse; numrin e përfituesve nga shërbimet e kujdesit shoqëror, të ndara sipas gjinisë; financimin e shërbimeve aktuale; të dhënat për strukturat që mbështesin apo ofrojnë shërbime të kujdesit shoqëror, të ngritura në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me ligjin; të dhëna krahasuese për buxhetin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për shërbimet e kujdesit shoqëror dhe shpërndarja e tij në territor, si dhe nevojat për shërbime shoqërore të munguara në territor.

Shpërndarja e fondeve buxhetore për financimin e fondit social të njësive të vetëqeverisjes vendore kryhet nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale, pas miratimit të kërkesave për propozim, të dërguara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke u bazuar në: kriterin e nevojës më të madhe për shërbime sociale; impaktin dhe prioritetet e çdo njësie të qeverisjes vendore në ofrimin e këtyre shërbimeve, sipas planeve përkatëse sociale; mundësitë e financimit nga buxheti i shtetit; shkallën e mbulimit të financimit të fondit social nga burime të tjera nga buxheti i shtetit; qëndrueshmërinë financiare të modelit të financimit të shërbimeve.

Ministria përgjegjëse për çështjet sociale për përcaktimin e kriterit të nevojës më të madhe për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore, bazohet në të dhënat e disponueshme nga vetë institucioni, si dhe nga Instituti i Statistikave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Shërbimi Social Shtetëror për parametrat e mëposhtëm: numrin e popullsisë (10 %); shkallën e papunësisë (15%); numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike (15%); numrin e personave me aftësi të kufizuar (20%); numrin e kërkesave për strehim social (10%); numrin e shërbimeve sociale të ofruara (10%); numrin e përfituesve të shërbimeve sociale të ofruara (10%); numrin e organizatave që ofrojnë shërbime sociale (5%); ofrimin e shërbimeve të reja, sipas shportës së miratuar të shërbimeve (5%).

Për të mundësuar vazhdimësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve, krijimin e shërbimeve të tjera dhe shtrirjen e tyre në të gjithë territorin e vendit, financimi nga buxheti i shtetit do të mbështesë: deri në 90% të kostos për vitin e parë të ofrimit të shërbimeve; deri në 60% të kostos për vitin e dytë të ofrimit të shërbimeve; 30% në vitet në vijim./ata