Sipas shkencëtarëve, egjiptianët e lashtë u përpoqën të kuptonin dhe kuronin kancerin më shumë se 4 000 vite më parë.
Studiuesit gjetën prova të shenjave të prera në një kafkë rreth një plage të madhe që besohet se ishte shkaktuar nga një rritje kanceroze.
Ata gjetën gjithashtu 30 lezione më të vogla në kafkë, duke sugjeruar se kanceri kishte shfaqur shenja të përhapjes.
”Kafka i përkiste një burri që ishte rreth 30 deri në 35 vjeç kur vdiq”, theksuan studiuesit.
Ata thanë se ka të ngjarë që shenjat e prera janë bërë me një objekt të mprehtë, duke sugjeruar se këta egjiptianë të lashtë mund të kenë tentuar të operojnë tumorin.
“Kur vëzhguam për herë të parë shenjat e prera nën mikroskop, nuk mund ta besonim atë që po shikonim”, deklaroi Tatiana Tondini, një studiuese në Universitetin e Tubingenit.
Por, Edgard Camaros, një paleopatolog në universitetin ”Santiago de Compostela” në Spanjë, tha se ”shenjat kirurgjikale mund të vijnë nga një autopsi mjekësore për të mësuar më shumë rreth sëmundjes pas vdekjes”.
”Ky zbulim është një dëshmi unike se si mjekësia e lashtë egjiptiane do të kishte kërkuar të trajtonte ose eksploronte kancerin më shumë se 4 000 vite më parë. Kjo është një perspektivë e re e jashtëzakonshme në të kuptuarit tonë të historisë së mjekësisë”, shtoi ai./ata