Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një vizitë në kompaninë hungareze “Garantiqa Hitelgarancia Zrt”, e themeluar në vitin 1992 për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Vizita u fokusua në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për mbështetjen e SME-ve dhe inovacionit në sektorin ekonomik.
Deri tani kjo kompani ka kontribuar në mbi 400 000 transaksione kredie e garancish.
Qëllimi kryesor i kompanisë është përmirësimi i zhvillimit të sektorit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme vendase duke ofruar garanci për kredi, sigurime, si dhe transaksione leasing dhe faktoring.
“Përpjekjet e “Garantiqa Hitelgarancia Zrt” për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme përmes garancive financiare, janë një model i qëndrueshëm zhvillimi ekonomik. Kjo vizitë u fokusua tek rëndësia e marrëdhënieve të forta ndërmjet institucioneve financiare shtetërore dhe biznesit, për të ndihmuar në ndërtimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e NVM-ve dhe rritjes së punësimit e qarkullimit tregtar”, u shpreh ministri Gonxhja.
Gjatë vizitës dyditore në Budapest, ministri Gonxhja zhvilloi një sërë takimesh në në institucione financiare, si dhe u takua me ministrin e Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë, Márton Nagy.
Gonxhja po ashtu zhvilloi takime me tre sekretarë shteti të Ministrisë për Ekonominë Kombëtare, fokusuar tek politikat, reformat dhe strukturat hungareze, projektet dhe programet kryesore sektoriale.
Gjatë takimeve me autoritetet hungareze, ministri Gonxhja vuri theksin në faktin se Shqipëria është e hapur për të mirëpritur sipërmarrësit hungarez. Sektorët janë të shumtë, dhe qeveria shqiptare, nënvizoi Gonxhja, po krijon lehtësira të mëdha për tërheqjen dhe mbështetjen e investitorëve të huaj./ata