Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se 30 prilli është afati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2022.

 

Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2022 kanë pagë bruto vjetore mbi 2,000,000 lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.

 

Tatimet pohojnë se Tatimpaguesi gjobitet në rastet kur:

 

– Nuk dorëzon në afat deklaratën tatimore

 

– Deklarata tatimore nuk është e saktë

 

– Informacioni është i gabuar, i rremë apo i pakorrigjuar brenda afatit ligjor

 

Sipas Tatimeve, detyrimin për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave e kanë:

 

-Individët rezidentë, të cilët kanë realizuar të ardhura, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.

 

-Individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.

 

-Individët të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.

 

Për vitin 2021 ishin 82,178 individë gjithsej, të cilët kishin detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave personale. Nga këta, 13,521 individë kishin paga bruto vjetore mbi 2 milionë Lekë. Ndërsa 68,657 individë kishin detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave pasi kanë qenë të dypunёsuar tё paktёn nё njё periudhë tё vitit.

 

Për individët që kanë të ardhura bruto nga paga mbi 2 milionë lekë dhe nuk kanë pasur të ardhur pagë tjetër, ky deklarim nuk sjell pagesë shtesë të tatimit mbi të ardhurat personale, pasi ata e kanë paguar TAP të plotë gjatë vitit.

 

Janë të dypunësuarit ata, që për të tretin vit, do të duhet të paguajnë tatimin shtesë mbi të ardhurat dhe duhet të kishin kursyer gjatë vitit për të mos u rënduar me pagesën e menjëhershme. Të gjithë të dypunësuarit detyrohen të bëjnë deklarimin e të ardhurave të 2022-t dhe të rillogarisin dhe derdhin tatimin e detyruar për tu paguar në një bankë të nivelit të dytë, bazuar në deklaratën e gjeneruar nga sistemi i tatimeve për deklaratën Vjetore Individuale të të Ardhurave.

 

Kjo sjell automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e pagës minimale dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 200 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).