Është hapur në Çagllavicë të Prishtinës, panairi i përgjithshëm ndërkombëtar "Prishtina 2024" me pjesëmarrje të rreth 100 kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Panairi i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës i cili do të jetë i hapur për tre ditë me radhë në "Prishtina Business Center" në Çagllavicë, vjen me një gamë të gjerë të ekspozuesve dhe pjesëmarrësve nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë si në industrinë e ndërtimit, inxhinierisë, energjisë, bujqësisë, ushqimit dhe gastronomisë.
Pjesëmarrës në panairin e këtij viti janë biznese dhe organizata nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Finlanda, Çekia, Gjermania, Zvicra, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe biznese nga diaspora shqiptare.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se panairi ka ofruar vazhdimisht mundësi për rrjetësim, diskutime dhe shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira të biznesit. Ai tha se panairi është një vend ku bizneset vendore gjejnë tregje të reja ndërsa investitorët ndërkombëtarë zbulojnë mundësi të reja.
"Pjesëmarrja e një grupi kaq të larmishëm vendesh dhe organizatash është një tregues i qartë i angazhimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të ndritur dhe perspektive për rininë dhe gjithë shoqërinë kosovare", theksoi Rafuna.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se për Qeverinë është shumë me rëndësi që bizneset dhe produktet në Kosovë të kenë një pozicionim sa më të fortë në treg. Ai tha se deri më tani Qeveria ka mbështetur mbi 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimet e tyre në 41 panaire ndërkombëtare.
"Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit Kosova ka arritur një rritje mesatare ekonomike prej 6.2 për qind, tregues ky i potencialit dhe energjisë së vendit tonë. Kemi dyfishuar eksportet dhe kemi përmirësuar ndjeshëm raportin e tyre me importet, që tregon se produktet dhe shërbimet tona janë gjithnjë e më të kërkuara në tregjet ndërkombëtare", theksoi Bislimi.
Ai shtoi se investimet e huaja direkte janë dyfishuar në këtë periudhë, duke rritur numrin e vendeve të punës për 20 për qind nga viti 2021.
Gjatë ditëve të panairit do të organizohet edhe "Konferenca e Investimeve" si ngjarje anësore dhe takime biznes-me-biznes, ku do të ketë diskutime dhe prezantime nga panelistë/ekspertë të ndryshëm nga fusha e investimit./aa