Kreu i Këshillit të Arsimit të Lartë të Türkiye-s, prof. dr. Erol Özvar zhvillon takime në Shqipëri ku do të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.
Özvar dha deklarata për gazetarin e AA-së lidhur me takimet e tij në Tiranë.
Ai vuri në dukje se në kuadër të programit dyditor do të takohet me ministrat e vendeve që operojnë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Özvar tha se në këtë konferencë do të kenë mundësinë të vlerësojnë disa nga çështjet dhe problemet kryesore të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.
Sipas tij, do të diskutohen problemet me të cilat përballen vendet në lidhje me zbatimin e Procesit të Bolonjës, sugjerimet për zgjidhje, ndarjen e shembujve të mirë të vendeve gjatë Procesit të Bolonjës, revolucionin dixhital dhe të gjelbër.
"Me rastin e kësaj konference ne presim dy rezultate të rëndësishme. Një prej tyre është se midis vendeve anëtare të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, do të nxirret një rregullore lidhur me Procesin e Bolonjës. Tani e tutje do të ketë një rregullore ligjore të Procesit të Bolonjës që karakterizon Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe Procesi i Bolonjës do të përparojë brenda këtij kuadri ligjor", tha Özvar.
Türkiye është pjesë e Procesit të Bolonjës dhe një nga palët e Traktatit të Lisbonës, tha Özvar i cili shpjegoi se Zona Evropiane e Arsimit të Lartë ndiqet nga afër nga universitetet turke dhe secila prej tyre janë universitete që operojnë brenda kësaj fushe.
Ai bëri të ditur se në këtë konferencë si YOK do të jenë dëshmitarë të një raporti progresi, punimet e të cilit kanë përfunduar më parë. "Ne si Këshill i Arsimit të Lartë kemi marrë pjesë në përgatitjen e këtij raporti të progresit. Në këtë raport vendet që ndodhen brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë do të vlerësohen së bashku me zhvillimet në arsimin e lartë të tyre. Uroj që ky takim të jetë i dobishëm", shtoi Özvar./aa