Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka deklaruar se lufta në Gaza është kundër “të drejtës themelore të njeriut për shëndet”, pasi e la sistemin shëndetësor në “rrënoja”.

Duke u adresuar në një seancë të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë (WHA) për Palestinën në Gjenevë, Koca tha se Izraeli ka shënjestruar spitalet në Gaza në një mënyrë duke shkatërruar plotësisht objektet e trajtimit.

“Kjo është një luftë kundër të drejtës themelore të njeriut dhe shëndetit. Shënjestrimi i spitaleve është një krim lufte”, tha ai.

Lidhur me sulmet e vazhdueshme të Izraelit në qytetin Rafah në jug të Gazës, Koca tha se kjo kërcënon jetën e 1.4 milionë civilëve, por gjithashtu detyron mbi 600 mijë civilë të largohen nga zona.

“Izraeli po e përdor urinë si armë lufte, pasi ushqimi, uji dhe nevojat e tjera bazë nuk lejohen të hyjnë në Gaza”, tha ai.

Shefi i shëndetësisë turke theksoi se krahas kolapsit të sistemit shëndetësor, bota duhet të marrë parasysh pasojat afatgjata të kushteve çnjerëzore të jetesës, epidemive, kequshqyerjes dhe traumave të rënda psikologjike.

“Prandaj, është thelbësore që sulmeve izraelite që synojnë civilët në Gaza t’i jepet fund menjëherë me një armëpushim të përhershëm”, tha ai.

Koca kujtoi vendimin e Türkiyes për të pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin derisa të shpallet një armëpushim dhe të sigurohet dorëzimi i pandërprerë i ndihmave humanitare.

“Një armëpushim i përhershëm duhet të arrihet urgjentisht. Dinjiteti ynë njerëzor varet nga fundi i tragjedisë në Gaza”, theksoi ai.

Takimi vjetor i WHA-së filloi të hënën në zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe do të vazhdojë deri më 1 qershor nën temën “Të gjithë për shëndetin, shëndet për të gjithë”. Në të marrin pjesë delegacione nga të gjitha vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), organizata joqeveritare dhe individë të shquar.

Izraeli ka nisur një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 pas një sulmi të Hamasit, duke vrarë të paktën 36.170 palestinezë dhe duke plagosur mbi 81.400 të tjerë.

Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta para se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa