Takimi i tretë i aktivitetit “Tinguj në COD” ka sjellë instrumentistët dhe vokalistët e rinj, të shkollës artistike “Naim Frashëri”, Vlorë.

Në mjediset e hollit protokollar, në praninë e kryeveprës së Michelangelo Pistoletto-s “Në mes detit Mesdhe”, nxënësit interpretuan në instrumente të ndryshme muzikore pjesë klasike dhe bashkëkohore, duke shpalosur aftësitë në interpretimin dhe në lojën artistike të tyre.

Programi përmbante pjesë të ndryshme nga Moxart, Vivaldi, Paganini, por edhe këngë me motive shqiptare, të cilat gjallëruan atmosferën, me velat muzikore, por edhe me zërat e bukur të tyre. Aktiviteti u organizua nën kujdesin e stafit pedagogjik, me mbështetjen e bashkisë Vlorë si dhe Zyrës Arsimore Vlorë.

Eridana Çano, drejtore e përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, vlerësoi me certifikatë shkollën artistike “Naim Frashëri” Vlorë, si mirënjohje për angazhimin dhe punën e shkëlqyer./ata