Teksa çështja Mc Gonigal prej disa javësh, është tema kryesore në axhendën politike, sot në Kuvend ka nisur mocioni me debat i kërkuar me insistim nga opozita me kryeministrin Edi Rama.

 

Që në nisje të seancës ka folur kreu i PD , Sali Berisha, i cili ka kërkuar ngritjen e komisionit hetimor për këtë çështje.

 

Berisha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit duke thënë se veprimtaria Rama-McGonigal ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë.

 

“Po lexoj një nen të rregullores dhe po e shkelni me këmbë një nen të Kushtetutës të Shqipërisë, që detyron parlamentin të ngrejë komisionet hetimore pasi firmosin një e katërta e deputetëve.

Deputetët po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për një nga aferat më tronditëse të kohës, implikimin direkt të kreut tuaj në rekrutimin, korruptimin e kryeagjentit të FBI si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare

Veprimtaria Rama-McGonigal, antiligjore në të dy vendet, ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë. Janë një seri çështjesh që duhet të marrin përgjigje nga komisioni hetimor parlamentar.  Kurrë Shqipëria nuk mund të kapërcejë këtë problem të tmerrshëm të krijuar nga një njeri që nuk ka asnjë ligj, normë apo Kushtetutë përveç interesave të tij personale.

Kemi të bëjmë me një nga aktet më antikushtetuese, ku përdoren të gjitha mjetet për shkatërrimin e opozitës. Kemi të bëjmë me një grup mafioz që përdori pushtetin e FBI dhe të qeverisë për të gjobitur biznesmenë në rrugët e Tiranës dhe Durrësit”- tha Berisha.