Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ka uruar maturantin e ekselencës, Igzon Hoti, i cili ka ndërtuar një avion të pajisur me kamera që përdoret për survejim dhe zbulim.

 

 

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sphia ka ndarë një fito me Hotin, ku ka shkruar se Shkodra është shtëpia e talenteve. Ai shprehu mbështetjen e tij dhe Bashkisë Shkodër për të riun.

 

Postimi i plotë:

 

 

Shkodra është shtëpia e talenteve dhe padiskutim të rinjtë e saj na bëjnë krenar me arritjet e tyre. I tillë është edhe shembulli i maturantit të ekselencës Igzon Hoti, që falë talentit dhe aftësive krijuese na ka mahnitur me punën e bërë për krijimin e mjeteve fluturuese.

 

Igzoni ka krijuar një avion të pajisur me kamër që përdoret për survejim dhe zbulim, ndërsa që në moshë të vogël teknologjia ka qenë pasioni i tij. E prita me kënaqësi bashkë me dy prindërit e mrekullueshëm në zyrën time, ku më njohu në detaje me shpikjet e bëra. Duke përgëzuar prindërit për djalin që kanë rritur dhe edukuar, si dhe vetë Igzonin për shembullin që na jep, i ofrova të gjithë mbështetjen time dhe të Bashkisë Shkodër në këtë rrugë të nisur, që ka sfidat dhe vështirësitë e saj.

 

Të tilla ide dhe këto shembuj fantastik që na ofrojnë këto të rinj të talentuar, janë sfida e të gjithëve ne, për t’i mbështetur në rrugën e nisur, por edhe për të punuar fort që e ardhmja e tyre të ndërtohet në Shkodrën tonë.