Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, do të marrë pjesë në takimin informal të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s.

Në një njoftim për mediet, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se takimi informal i ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s do të zhvillohet në Pragë (Republika Çeke), në datat 30 – 31 maj 2024.

Ky është takimi i fundit në nivel të ministrave të Jashtëm në parapërgatitje të Samitit të Uashingtonit, që shënon dhe 75-vjetorin e Aleancës.

Sipas MEPJ, ministrat aleatë do të trajtojnë progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.

Samiti i radhës i NATO-s do të mbahet në Washington (SHBA) në 9 – 11 korrik 2024./ata