Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato tha sot se administrata publike është kyçe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

I pranishëm në aktivitetin për prezantimin e Planit të Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së “Shqipërisë 2030” për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve, Gonzato tha se 70% e legjislacionit të BE do të duhet të zbatohet në nivelin lokal.

“Mendoj se roli juaj është kyç në procesin e anëtarësimit. Ju jeni vërtet asetet e Shqipërisë për negociatat për anëtarësim në BE”, iu drejtua ai të pranishmëve në takim.

“Administrata publike është kyçe. Është ajo makineri përmes së cilës vendi përparon prioritetet e veta. Më vjen mirë që qeveria njeh rëndësinë e nëpunësit publik. Duhet të ketë një administratë publike pa korrupsion, transparente dhe llogaridhënëse për të ofruar shërbimet më cilësore për qytetarët dhe bizneset. Për të mundësuar që Shqipëria të luajë rolin e plotë si anëtare e BE. Duhen sisteme karriere të bazuara në meritë. Sisteme transparente, të bazuara në vlerësimin e aftësive të njerëzve”, tha Gonzato.

Ai shtoi se “nuk është rastësore që për BE, reforma e administratës publike është thelbësore si elementët e tjerë të anëtarësimit. Reforma e administratës publike do të jetë një nga faktorët përcaktues të integrimit. Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes realist dhe ambicioz dhe përcakton hapat më të rëndësishëm që shërbimi civil të jetë në lartësinë e detyrës që e pret. BE nuk po rri ulur e pret që këto reforma të bëhen, por BE po ndihmon në realizimin e tyre”, theksoi Gonzato.

“Dje përmbyllëm një projekt trajnimi tremujor në BE të administratës. Një pjesë ishin nga niveli lokal. E kemi thënë që 70% e legjislacionit të BE do duhet të zbatohet në nivelin lokal”, përfundoi Gonzato duke vlerësuar se ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni është personi i duhur për forcimin e administratës publike./ata