Kuvendi i Shqipërisë publikoi sot projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Sipas dokumentit të publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në faqen zyrtare lexohet se “Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim: përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grup-kapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.
“Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse; Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare”, lexohet në dokument.
“Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga kryetarë dhe zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; për Ekonominë dhe Financat për Çështjet Evropiane; për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian”, vijon dokumenti.
“Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit. Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit”, lexohet më tej në dokument.
“Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj. Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni”, shkruhet në dokument.
“Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces objektiv dhe në standardet më të mira ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, fton ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar mundësinë dhe pjesëmarrjen aktive të tyre përmes ekipeve të monitorimit dhe asistencës teknike. Në cilësinë e ekspertëve ndërkombëtare, komisioni mund të ftojë të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, USAID, SIDA, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, agjencive të ndryshme të specializuara në fushat përkatëse, si GRECO, OGP etj., si edhe lektorë me karriera të spikatura në vendet partnere të Shqipërisë për fushat e objektit të punës së tij”, vijon më tej dokumenti.
“Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë: Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me: Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë; i Institucionet e sistemit të drejtësisë; Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi; Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikëqyrjen e tregut, rregjistrimin e administrimin e pronës etj; Ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse; Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit; Pedagogë e studentë; Përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.”, shkruhet më tej.
Në dokument sqarohet se “çdo parti tjetër joparlamentare, që nuk është e përfshirë në këtë komision do të ftohet të marrë pjesë në aktivitetet e hapura, si dhe të ofrojë kontribute konkrete pranë komisionit dhe grupit të ekspertëve. Këshilli i Ministrave mund të përfaqësohet në veprimtaritë e Komisionit me pjesëmarrjen e ministrit të shtetit dhe Krye-negociator, për Marrëdhëniet me Parlamentin, për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike dhe për Pushtetin Vendor, të cilët do të mund të japin opinionet e tyre për çështje të caktuara, si edhe të kontribuojnë përmes ekspertëve të tyre./ata