Së shpejti nis Java Kulturore Italiane. Aktivitetet e saj nisin më 2 dhe përfundojnë më 9 qershor.

Organizatorët e Javëve Kulturore Ndërkombëtare përmes një postimi online shprehen se, lidhja jonë me Italinë është e shenjuar në shekuj e në breza. “Jemi frymëzuar nga kultura italiane me rrënjë të thella dhe jemi tërhequr pafund nga sharmi i saj”, shkruan JKN.

Java Kulturore Italiane konsiderohet si një moment historik pasi do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët që të mos humbasin një javë të mbushur me një seri aktivitetesh fantastike. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj i fton që të ndjekin aktivitetet e shumta të organizuara, mes të cilave do të ketë koncerte, opera, shfaqje kontemporane, sport, konferenca e shumë të tjera.

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisën më datën 2 maj, me javën kushtuar Bashkimit Evropian, vijuan me Javën Kulturore Franceze e Javën Kulturore Greke. Ato do të mbyllen në fund të nëntorit me Javën Kulturore Kosovare, që ashtu si edhe në edicionet e tjera, përkon me javën e festës kombëtare./ata