Një nënvariant i ri koronavirusi është shfaqur, KP.2, i cili rrjedh nga variantet e quajtura FliRT. Ky nënvariant i ri është bërë lloji dominues i korornavirusit në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Variantet FliRT kanë disa mutacione të përbashkëta, por vijojnë të jenë pjesë e familjes Omicron të koronavirusit.

Nga 20 prilli deri më 11 maj, thuajse 30% e rasteve të reja janë shkaktuar nga KP.2, nga më pak se 16% që ishin dy javë përpara.

Një arsye se përse ky lloj i ri nënvarianti ka zhvendosur të tjerët duke u bërë dominues, sipas ekspertëve, është fakti që është po aq ngjitës, ose edhe më shumë.

Kjo do të thotë se KP.2 mund të përhapet shumë lehtë, gjë që e kemi parë gjatë gjithë pandemisë, që koronavirusi është jashtëzakonisht ngjitës dhe rrjedhimisht, i vështirë për t'u shmangur.

Lajmi i mirë është se KP.2 nuk duket se shkakton forma të rënda të sëmundshmërisë./Tema