Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se, në total janë dhënë 280 milionë euro dëmshpërblim për ish-të përndjekurit nga regjimi komunist.

Duke folur për raportin vjetor të veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023, Manja tha se, “sot ende pas 32 vjetësh të rrëzimit të regjimit komunist, ne akoma në këtë sallë e etiketojmë njëri-tjetrin, ju dhe ne. Kur në fakt për atë që ndodhi për 45 vjet në Shqipëri, kjo sallë është më borxhlia ndaj gjithë asaj shtrese që e paguan çmimin e lirisë me jetët edhe vuajtjet e tyre personale dhe familjare”.

“Ajo ishte një tragjedi kombëtare, pjesë e historisë sonë dhe që është detyrë e kësaj shoqërie t’u japim drejtësi edhe viktimave të komunizmit”, tha Manja.

 

Duke folur për dëmshpërblimet ndaj ish-të përndjekurve, Manja tha se, “21900 kërkesa kanë qenë për dëmshpërblim. 13500 dosje janë miratuar në total për dëmshpërblim. 8500 të tjera kanë mbetur të patrajtuara për shkak të mosplotësimit të kritereve. Ndërsa 3036 prej këtyre dosjeve i plotësojnë të gjitha kriteret për dëmshpërblim, por janë dorëzuar jashtë afatit, sipas atij ligji që është sot në fuqi”.

“Ish-të dënuarit e dorës së parë, ata që vuajtën burgjet e regjimit komunist, me ardhjen tonë në pushtet në 2013-ën janë dëmshpërblyer totalisht, ata që ishin në burg. Ndërsa për trashëgimtarët e radhës së parë të tyre, po nën qeverisjen tonë është duke u likujduar plotësisht kësti i 4-t i dëmshpërblimit të tyre financiar”, u shpreh Manja.

Ministri Manja iu drejtua deputetëve të PD se, “në vitet 1993-2002, keni qeverisur ju më shumë dhe ne më pak, 2 miliardë lekë dëmshpërblim pati për shtresën e ish-të përndjekurve poltikë. 2003-2012, ku përsëri ju, që jeni partia që jeni shtrati natyral i kësaj shtrese të përndjekurisht që ju kanë dhënë votën, i keni dëmshpërblyer me 7.3 miliardë lekë”.

Ndërsa, shtoi Manja, “me ardhjen tonë në vitin 2013 në pushtet, edhe pse sigurisht nuk janë votuesit tanë absolutisht, por si borxh dhe reflektim i kësaj force politike, i këtij parlamenti dhe i atij vizioni dhe programi që ne kishim në 2013-ën edhe për dëmshpërblimin e shtresës së të përndjekurve politikë, u kemi dhënë deri më sot 2013-2024, jo si mëshirë, por si dëmshpërblim i vuajtjeve, sakrificave dhe i mundit të tyre, 18.3 miliardë lekë apo 180 milionë euro”.

Manja theksoi se, “në total u kemi dhënë 280 milionë euro dëmshpërblim”.

Por, shtoi Manja, “ende përsëri mbetet për t’u dëmshpërblyer kjo shtresë, flas për trashëgimtarët dhe familjarët e tyre, 28.560 miliardë lekë apo një vlerë prej 285 milionë eurosh”./OraNews