Vendet pjesëmarrëse në Konferencën Ministeriale të Zonës Europiane e Arsimit të Lartë, që u mbajt për herë të parë në Tiranë në 29-30 maj, dolën  me një deklaratë të përbashkët.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Arsimit e Rumanisë, Ligia Deca dhe ministrin e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Moldavisë, Dan Perciun në përmbyllje të Ministerialit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se “patëm kënaqësinë që të kishim në Tiranë më shumë se 280 përfaqësues të strukturave të ndryshme ndërkombëtare të arsimit të lartë, ministra, zv/ministra, sekretarë shteti të 47 vendeve që janë pjesë e zonës europiane të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë edhe vende jo anëtare, të cilët së bashku me përfaqësues e drejtues të institucioneve ndërkombëtare sikurse janë institucionet akredituese ndërkombëtare apo përfaqësues të UNESCO-s dhe të Komisionit Europian ku vetë Drejtorja e Përgjithshme e Arsimit të të Rinjve e Kulturës ishte me ne”.

“Patëm kënaqësinë që jo vetëm të ndanim diskutime dhe mendime shumë të vlefshme në kuadër të zhvillimeve për arsimin e lartë në këto vite, por edhe të dilnim me një deklaratë të përbashkët, pjesë e punës së përbashkët të këtyre viteve të bërë nga Sekretariati shqiptar që ka drejtuar BFUK, që është grupi që ndjek Procesin e Bolonjës dhe që tashmë kjo deklaratë është miratuar nga të gjitha vendet në unanimitet”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “në këtë deklaratë të gjitha vendet janë angazhuar të punojnë së bashku që të arrijnë standardet më të mira sa i përket kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë, të gjithë së bashku jemi angazhuar për të arritur standardet e cilësisë në programet e studimit për të gjitha vendet, për të mundësuar njohjen reciproke të diplomave”.

“Ky objektiv madhor kërkon edhe një plan veprimi shumë sistematik për të mundësuar që të shkojmë tek njohja e diplomave mes vendeve duhet që të rrisim standardet e programeve të arsimit të lartë në vendet respektive dhe sigurisht të vlerësojmë dhe rishikojmë në mënyrë dinamike të gjithë ato udhëzues që kanë nevojë të rishikohen dhe rivlerësohen gjatë periudhës në vazhdim”, nënvizoi ajo.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “angazhohemi në mënyrë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar dhe parimet kryesore të cilat ne na bëjnë bashkë në zonën europiane të arsimit të lartë dhe që kemi të bëjmë më liritë akademike, vlerat e integritetit akademik, autonominë institucionale dhe sigurisht pjesëmarrja e studentëve dhe stafeve akademike në procesin e vendimmarrjeve të ndryshme të universiteteve”.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, vijoi Manastirliu, është forcimi i kërkimit shkencor, i bashkëpunimit mes vendeve dhe ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë sa i përket shkencës, inovacionit kërkimit shkencor, kontributit që secili vend duhet të japë dhe partneritetit të pazëvendësueshëm, që siguron zhvillimin e kërkimit shkencor mes institucioneve të arsimit të lartë.

“Një ndër elementët ku është vendosur theksi në këtë aspekt ka lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe mësimnxënie duke u bazuar në parimet më të mira ekzistuese të përdorimit të teknologjisë së digjitalizmit dhe duke përfshirë këtu edhe tranzicionin digjital dhe tranzicionin e gjelbër”, shtoi ministrja.

Më tej, Manastirliu tha se “një ndër aspektet e tjera të angazhimit mes vendeve përfshin edhe rritjen e mobilitetit të studentëve për stimulimin e lëvizshmërisë së tyre gjatë programeve të studimit ku është vendosur edhe një objektiv ambicioz”.

“Për vitin 2030 parashikohet që të gjitha vendet të bëjnë më të mirën e tyre, duke u angazhuar maksimalisht nëpërmjet programeve të BE, por edhe partneriteteve të përbashkëta në kuadër të ndërkombëtarizimit, për të arritur që 20 % e studentëve në ndjekje të arsimit të lartë të kenë programe të mobilitetit mes vendeve, të marrin aftësitë më të mira në vendet respektive gjatë studimeve të tyre”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastriliu tha se, “sa i përket Shqipërisë, duke qenë se ky ministerial dyditor u drejtua nga Shqipëria dhe Tirana ftoi këtë ministerial, ne patëm disa prezantime me një pjesëmarrje aktive në panele me tematika të ndryshme. Dua të përmend disa nga arritjet të cilat ne vlerësojmë do të kenë dhe do të sjellin një kontribut sa i përket arsimit të lartë në një të ardhme të afërt dhe një rezultat i prekshëm për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, që kanë të bëjnë me këtë moment të rëndësishëm ku është arsimi i lartë sot dhe që ka të bëjë me programin e ndërkombëtarizimit”.

“Në ministerial prezantuam arritjet e këtij viti që janë falë një pune të nisur gjatë gjithë këtyre viteve dhe kanë të bëjnë me hapjen e kampuseve prestigjioze në botë në Shqipëri si Kampusi i Tiranës, i Kolegjit të Europës, që do të hapë dyert këtë vit akademik dhe përgatitemi të hapim në Gjirokastër Kampusin e Studimeve në Distancë të Spanjës, gjithashtu edhe marrëveshja e fundit që kemi firmosur ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “deri tani kemi 40 programe studimi dhe diploma dyfishe dhe të përbashkëta me universitete të njohura në botë dhe kryesisht në Europë”.

Ministrja deklaroi se pjesë e strategjisë së MAS për zhvillimin e kërkimit shkencor në universitetet shqiptare do të jetë edhe përfshirja e diasporës shqiptare në programet e kërkimit shkencor, duke theksuar se objektivi i vendosur në strategjinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit është që 1% e GDP-së të shkojë për kërkimin shkencor deri në vitin 2030.

“Kemi rritur fondet në krahasim me vitin 2023 me 40%, duke krijuar më shumë mundësi për sa i përket aplikimit të projekteve të kërkim-zhvillimit. Shumë shpejt do të kemi dhe një prezantim të një tjetër programi që jemi duke hartuar dhe që ka të bëjë pikërisht me mbështetjen e kërkimit shkencor ku një rol të rëndësishëm luan edhe diaspora shqiptare. Jemi duke programuar një mekanizëm specifik për përfshirjen e diasporës akademike dhe të kërkimit shkencor në programet e kërkimit shkencor në universitete shqiptare. Objektivi që i kemi vendosur vetes në strategjinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit është që 1% e GDP-së të shkojë për kërkimin shkencor deri në vitin 2030,” tha Manastirliu.

Ky ministerial dyditor i mbajtur në Tiranë është një hap i rëndësishëm drejt përparimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në zonën europiane, duke ndërtuar partneritete të qëndrueshme dhe duke realizuar një ndërveprim më fluid dhe konkret mes vendeve./ata