Ura e Zonjës, Monument Kulture i Kategorisë I, është çliruar nga vegjetacioni duke bërë që monumenti të dalë më në pah.
Ura e Zonjës ndodhet në mesin e fushës poshtë rrugës që të çon në fshatin Labovë e Kryqit. Ajo për arsye të spostimit të shtratit të lumit me 50-60m më në veri, ndodhet tashmë në brigjet ranore të këtij shtrati duke patur gjithashtu dhe pjesë që i mungojnë dhe nuk lejojnë një lexim të qartë veçanërisht të anës veriore të saj.
Në gjendjen e tanishmë ura është e gjatë 70 metra me një lartësi prej 7 metrash mbi aluvionet që kanë mbuluar këmbët e saj. Gjerësia e urës është 3.8 m.
Ura është e formuar nga një sistem harqesh (qemeresh) e ndarë me harqe më të vegjël mes tyre (dritare shkarkuese) e cila në total ka katër harqe të plotë (duke nisur nga drejtimi jugor) dhe një hark të dëmtuar në kulmin verior.
Muratura është e krijuar me gurë të bardhë gëlqeror të radhës, por bie në sy që në pjesēn e këmbëve të qemereve kemi dhe përdorim të gurëve ranorë konglomerat me përmasa më të mëdha (40 x 100 cm). Si lidhës i muraturës ka shërbyer llaçi me bazë rërën e gëlqeren.
Kreu i urës duke qënë i kalueshëm ka qënë i shtruar me kalldrëm i cili vjen i ndryshëm në pjesë të ndryshme. Kështu në kurizet e harqeve ka pjesë kalldrëmi me gurrë të zi radhë rreth 8 cm të trashë e të vendosur në këmbë. Në pjesë të tjera midis ka kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët.
Qemeret e dritareve shkarkuese kanë si karakteristikë formën e tyre, e cila është e ndikimit oriental, pasi janë qemer me majë./ata