Muzeu Historik Kombëtar ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve. Nga të dhënat e ofruara prej këtij muzeu, për periudhën janar-qershor 2023, duket se ka pasur 91% më shumë vizitorë në total, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

 

6 mujori i parë i vitit 2023 ka regjistruar 30995 vizitorë, ndërsa një vit më parë shifra arrinte në rreth 16 mijë.

 

Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet kulturore më të vizituara nga vendas e të huaj. MHK u përurua në 1981. Ai mbetet institucioni muzeor më i rëndësishëm në vend.

 

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendas, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin.

 

Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde.