Sot është Dita Botërore Pa Duhan.
Tema e Ditës Botërore Pa Duhan – 2024, është: “Të mbrojmë fëmijët nga praktikat manipuluese të industrisë së duhanit”. Kjo nismë ka një rëndësi të madhe dhe jetike, në luftën kundër këtij fenomeni të dëmshëm me impakt shoqëror.
Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik fëmijët përdorin cigare elektronike me ritme më të larta se të rriturit në të gjitha rajonet dhe globalisht, rreth 37 milionë të rinj të moshës 13-15 vjeç përdorin duhan.
“Ndërsa përkujtojmë Ditën Botërore Pa Duhan -2024, le të riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien, për një të ardhme më dinjitoze dhe premtuese për brezat që vijnë, drejt një bote ku duhani nuk na “rrëmben” jetën dhe vitalitetin”, shprehet ISHP.
Çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën botërore pa duhan me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.
Me rastin e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhanpirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme.
Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jongjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.
Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.
Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.
Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.
Për t’u ndihmuar duhanpirësve që ta lënë duhanin, OBSH-ja dhe partnerët e saj kanë zhvilluar mjete të reja digjitale, siç janë chatbot-i i Sfidës së Lënies së Duhanit (Quit Challenge) dhe punëtorja digjitale shëndetësore me Inteligjencë Artificiale Florence që simulon një punëtor të kujdesit shëndetësor për t’i luftuar dezinformatat rreth COVID-19 dhe duhanit, ofron këshilla të shkurtra për duhanpirësit rreth lënies së duhanit, si dhe i referon duhanpirësit në shërbimet digjitale për lënien e duhanit.
Sfida e Lënies së Duhanit jep këshilla të përditshme dhe inkurajim deri në gjashtë muaj për t’i ndihmuar kujtdo të qëndrojë larg duhanit. Aplikacioni është në dispozicion falas në WhatsApp, Viber, Facebook Messenger dhe WeChat.
Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhanpirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente./ata