Pas një pune intensive, Kosova ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes, e cila së shpejti do të miratohet në nivel të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova është vendi i parë në rajon që ka përmbushur këtë hap dhe e ka dërguar këtë dokument drejt BE-së, duke dëshmuar përkushtimin për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Sektorët kyç të prekur janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtërirë dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve gjatë një periudhe kohore 3-4 vjet, ka shkruar Bislimi në Facebook.

 

Sipas tij, hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian.

 

Ndryshe, Kosova, e cila ndodhet nën masa ndëshkuese të BE-së, pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive./ata