Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se një nga pikat kryesore të agjendës së Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s do të jetë puna mbi një "paketë të fortë mbështetjeje" për Ukrainën.
Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhanë deklarata të përbashkëta për mediat përpara Takimit Joformal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në kryeqytetin e Çekisë, Pragë.
Duke deklaruar në takimin që mbahet para Samitit të NATO-s në Washington se do të zhvillojnë diskutime të rëndësishme dhe do të punojnë për pikat e rendit të ditës të samitit, Blinken tha: "Do të shihni një paketë shumë të fortë mbështetjeje për Ukrainën. Dhe ky vendim do të jetë tema kryesore e samitit".
Blinken shtoi se partneritetet me vendet joanëtare të NATO-s, përfshirë vendet e Indo-Paqësorit do të jenë në axhendë në takim dhe shprehu kënaqësinë e tij për të punuar së bashku me ministrat e Jashtëm për ta bërë samitin në Washington efektiv.
Pasi tërhoqi vëmendjen se ata kanë burime të forta dhe të mira, Blinken potencoi se Aleanca ka rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave që mund të përballen në periudhën aktuale dhe në vitet e ardhshme. Ai iu referua përvjetorit të themelimit të NATO-s. "Ne do të festojmë 75-vjetorin e Aleancës më të suksesshme në histori. Por, më e rëndësishme se kjo është ajo që kemi bërë për të përgatitur dhe forcuar Aleancën për 75 vitet e ardhshme", tha Blinken.
Stoltenberg falënderoi Blinkenin për organizimin e Samitit të Washingtonit që do të mbahet në korrik nga vendi i tij dhe tha se në samit krahas festimit të 75-vjetorit të Aleancës do të merren vendime të rëndësishme.
"Aleatët kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të rritur shpenzimet e mbrojtjes. Deri në samit ne do të kemi shifra të reja, por shpresoj që të paktën dy të tretat e aleatëve do të investojnë 2 për qind ose më shumë (të PBB-së) në mbrojtje", deklaroi Stoltenberg.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen në një format jozyrtar një herë në vit në një nga vendet aleate dhe diskutojnë përgatitjet për samitin vjetor. Në mesin e pikave të rendit të ditës që priten të diskutohen në Samitin e ardhshëm të Washingtonit janë tema të tilla si, mbështetja e qëndrueshme për Ukrainën, forcimi i mbrojtjes së NATO-s dhe thellimi i partneriteteve të saj në mbarë botën./aa