Në fshatin Shushicë u përurua terreni sportiv, një investim i bashkisë së Elbasanit, që do të përdoret nga nxënësit dhe banorët e zonës. Ky investim përfshin fushën e minifutbollit dhe atë të basketbollit.
Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja si edhe deputetja e zonës Desantila Tahiraj, morën pjesë në përurimin e këtij terreni sportiv.
Kreu i bashkisë, Gledian Llatja theksoi rëndësinë e këtij projekti për nxënësit, që dëshirojnë të vazhdojnë aktivitetet sportive edhe jashtë orarit shkollor.
“Përfundimi i fazës të projektit bëri që Shushica të përfitojë një fushë minikalçeto dhe basketbolli e cila është gati për përdorim. Fushat e reja janë shumë më tepër se thjesht një ambient sportiv. Ato janë një qendër komunitare, e cila do të shërbejë jo vetëm për aktivitete sportive, por edhe si një vend ku të rinjtë dhe fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kalojnë kohën në një mënyrë aktive dhe argëtuese”, tha Llatja.
Ai vuri në dukje përpjekjet e bashkisë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore.
“Prioriteti ynë kryesor janë edhe infrastrukturat shkollore, jo vetëm terrenet sportive. Kemi shtuar terrenet sportive gjatë kësaj kohe në shkollat dhe ambientet tona të përbashkëta, duke shpresuar se në vitin 2025 do të kemi një program të madh për rehabilitimin e infrastrukturës sonë shkollore. Deri tani kemi bashkëpunuar me “Save the Children” dhe USAID për të investuar në nëntë kopshte në qytet, por edhe në nëntë shkolla në qytet dhe në zonat tona rurale”, tha Llatja.
Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri e vuri theksin tek përpjekjet e vazhdueshme të bashkisë së Elbasanit për të ndërtuar mjedise të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe arsimore për të rinjtë e komunitetit.
“Kryetari Llatja e mban premtimin përtej fushatës, duke sjellë inovacione të vazhdueshme. Investimet në infrastrukturë, si terrenet sportive të reja, shënojnë një angazhim të vazhdueshëm për përparimin e komunitetit”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri theksoi rëndësinë e këtyre iniciativave për të rriturit dhe fëmijët, duke e parë fshatin si një qendër jetike e zhvillimit.
“Ky angazhim kontribuon në rritjen e jetueshmërisë së fshatit dhe në përmbushjen e potencialit të tij njerëzor dhe ekonomik. Gjëja më e mirë është që fshati nuk është braktisur. Duke pasur potencial njerëzor edhe potencial ekonomik duke i shtuar edhe këto lehtësira në arsim, por edhe në argëtim, fshati bëhet më i jetueshëm”, tha Gjiknuri.
Desantila Tahiraj, deputete e zonës, shprehu falënderimin për investimin në terrenin sportiv, duke e cilësuar si një hap pozitiv për zhvillimin e fëmijëve në këtë komunitet.
Shkolla e Shushicës është një ndër shkollat më të mëdha në zonat rurale. Para dy vitesh në këtë zonë është hapur një projekt në bashkëpunim me bashkinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për fëmijët të cilët duan të vazhdojmë mësimin edhe jashtë orarit të shkollës./ata