Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur aplikimet për “Mësues për Shqipërinë”, që do të kryhen për herë të parë nëpërmjet platformës e-Albania.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila tha se afati i aplikimit është nga 4-19 korrik 2024.

Faza e parë është vlerësimi i dosjes së aplikantit, faza e dytë është testimi i informatizuar dhe në fazën e tretë shpallet lista përfundimtare së bashku me renditjen.

MAS sqaron se kandidati aplikon në DRAP-in ku ka vendbanimin e përhershëm. Ai ka të drejtë të përzgjedhë deri në 3 (tre) ZVAP ku dëshiron të punësohet.

Kandidati që zotëron më shumë se një licencë, ka të drejtë të konkurrojë në profilet sipas licencave përkatëse, duke bërë aplikim më vete për secilën licencë.

Kandidati që dëshiron të punojë si mësues në dispozicion ose si mësues ndihmës, krahas aplikimit për profilin përkatës, në aplikimin e tij duhet të zgjedhë edhe opsionin “Mësues në dispozicion” ose “Arsim special”.

Kandidati, i cili ka dhënë provimin e licencës për profilin që aplikon dhe ka rezultuar i suksesshëm, si dhe testimin për portalin “Mësues për Shqipërinë”, përzgjedh nëse do të ruajë pikët e testimit apo kërkon të ritestohet për këtë portal.

Kandidati, i cili nuk ka detyrim licencimin sipas përcaktimeve ligjore dhe kandidati i arsimit parashkollor, do të zgjedhë opsionin “Dëshiroj të vazhdoj pa licencë”, për të vijuar më tej aplikimin.

Sasia e pikëve të marra në provimin e licencës për profilin që aplikon konfirmohen automatikisht nga portali.

Të gjithë kandidatët për mësues, përfshirë dhe parashkollorin (kandidatët që kanë qenë pjesëmarrës në portalet e mëparshme dhe kandidatët e rinj), kanë detyrim të ngarkojnë online dosjen për konkurrim, në të kundërt, përjashtohen nga konkurrimi dhe hiqen nga lista e portalit.

Për më shumë informacion klikoni në linkun:

https://arsimi.gov.al/hapen-aplikimet-per-mesues-per…/

/ata