Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Në llogarinë e tij në X, Kurti ka publikuar pamjet nga takimi teksa ka thënë se të hënën më 3 qershor do të mbahet forumi i bizneseve turke dhe kosovare. Ky forum, sipas tij, do të jetë mundësi për të thelluar lidhjet dhe investimet turke në Kosovë.

Kurti tha se me presidentin turk kanë folur për raportet mes dy shteteve dhe për mundësitë e reja sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve.”, ka shkruar Kurti. /KosovaPress/