Lejet e ndërtimit i janë rikthyer rritjes në tremujorin e parë të vitit me rreth 2.6%, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, por janë rreth 27.5% më pak se në të njejtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e parë 2024 janë miratuar gjithsej 311 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 429 leje të miratuara në tremujorin e parë 2023.
Nga ana tjetër, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit mbetet më e ulët në të dy rastet, pra edhe nëse e krahasojmë me bazë tremujore, por edhe me bazë vjetore. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2024 është 357,585 metra katror, nga 415,842 metra katror miratuar në tremujorin e parë 2023, duke shënuar një ulje prej 14.0%.
Por tendenca në kryeqytet duket e ndryshme nga ajo e përgjithshmja. Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave”, në Tiranë është rritur numri i lejeve të ndërtimit me 38%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar dhe me 16% krahasuar me tremujorin e kaluar, pra tremujorin e katërt të vitit 2023.
Por cilat janë qarqet e tjera që shënuar rritje në harkun kohor të një viti? Përveç Tiranës, me rritje të numrit të lejeve të ndërtimit paraqiten edhe Elbasani, Gjirokastra dhe Vlora, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.
Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e katërt duket se janë po të njejtat qarqe që kanë shënuar rritje, por në këtë rast Gjirokastrën e ka zëvendësuar Korça.
Ndër të tjera, shifrat tregojnë se me rënie paraqitet edhe vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit. Në tremujorin e parë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 13.6 miliardë lekë, nga 21 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2023, duke shënuar një ulje prej 35.0%./Tema