Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dha sot një mesazh me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve

Nikolla u shpreh se, investimi për fëmijët është më largpamësi dhe më dobiprurësi.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të reflektojmë të gjithë: për më shumë kujdes për mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve. Për shkollimin dhe edukimin e tyre, me dije bashkëkohore, shprehi të qëndrueshme, vlera shoqërore e demokratike, si qytetarë aktivë e të denjë të shoqërisë. Për një mjedis të sigurt, duke i rrethuar fëmijët me dashuri e ndjenja njerëzore, për t’i mbrojtur prej varfërisë, padijes, dhunës dhe rreziqeve të tjera”, theksoi Nikolla në mesazh.

“Investimi për fëmijët është më largpamësi dhe më dobiprurësi investim i familjes, komuniteteve, institucioneve dhe shoqërisë”, nënvizoi kryetarja e Kuvendit në mesazhin e saj me rastin e 1 qershorit./ata