Një ditë përpara fillimit të provimeve të Maturës, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me monitoruesit që do të ndjekin nga afër të gjithë procesin.

Provimet e Maturës nisin të hënën, më 3 qershor, me provimin e gjuhës së huaj. Më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 18 qershor provimi i matematikës.

“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug”, tha ministrja Manastirliu.

Gjithë puna që është bërë përgjatë këtyre muajve kurorëzohet me fillimin e procesit të provimit të Maturës Shtetërore për të gjithë maturantët në të gjithë vendin.

“Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh dhe staf të MAS dhe strukturave të varësisë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit vuri theksin në fund te zbatimi me përpikmëri i rregullores së Maturës Shtetërore.

“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” theksoi ministrja Manastirliu./ata