Kili do t’i bashkohet veprimit ligjor të Afrikës së Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) i cili akuzon Izraelin se po kryen gjenocid në sulmin e tij ushtarak në Rripin e Gazës, tha dje në parlament presidenti Gabriel Boric, në Santiago.

“Ne kurrë nuk do të heshtim me veprimet e rastësishme dhe absolutisht joproporcionale të forcave të armatosura izraelite kundër civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve palestinezë”, tha Boric.

“Kili do të bashkohet dhe do të mbështesë veprimin e Afrikës së Jugut”, tha ai.

Boric dënoi gjithashtu sulmet e 7 tetorit të kryera nga Hamasi ndaj Izraelit dhe bëri thirrje për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

“Unë nuk e pranoj që të zgjedh mes barbarive”, tha ai.

Kili bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe njohjen e dy shteteve – Izraelit dhe Palestinës – në një postim nga Ministria e Jashtme në X.

Afrika e Jugut nisi veprimet e saj ligjore në Hagë në fund të vitit të kaluar.

Në një vendim të përkohshëm, GJND-ja urdhëroi Izraelin të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocidin dhe për të lejuar ndihmat humanitare për popullatën civile.

Në fund të muajit të kaluar, gjykata urdhëroi ndalimin e menjëhershëm të ofensivës izraelite në Rafah, në jug në Rripit të Gazës.

Izraeli ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid dhe ka përmendur të drejtën e tij për vetëmbrojtje pas sulmeve të 7 tetorit. Mund të kalojnë vite përpara se GJND-ja të nxjerrë një vendim përfundimtar./ata