Asgjë nuk i shpëton syrit të tij. Çdo ditë Gazmend Xhaferrin e gjen të zhytur mes ngjyrash; kërkon të zgjojë përjetimet e njerëzve me pikturat e tij, të mbajë gjallë traditat dhe historinë e vendit, por edhe të mbetet në memorien e artdashësve.

I ati ishte mësuesi dhe kritiku i tij më i fortë. Gazmendi ndihet krenar që po ecën në gjurmët e tij dhe që këtë profesion ia ka trashëguar edhe fëmijëve.

"Në studion time nuk ka vetëm punë të miat, ke skulptura të vajzës, punë të bashkëshortes. Djali po ashtu është piktor shumë i mirë, por punon me tatuazhet në Gjermani. Të gjithë në familje jemi angazhuar me pjesën e pikturës".

Refuzon të largohet nga Elbasani pasi është qyteti ku ka lindur dhe është rritur dhe që vazhdon ta frymëzojë në krijimtarinë e tij.

Çdo ditë, udhëton drejt Tiranës për të shitur punimet e tij, pasi tregu i blerësve është më i madh. Ndonëse nuk i pëlqen arti abstrakt, janë të shumta rastet kur i është dashur të përshtatet me kërkesat e klientëve.