Në Durrës këtë të diel u zhvillua aktiviteti sportiv “Durrës Marathon 2024”.
Kryeministri Edi Rama, duke ndarë pamje nga maratona ku morën pjesë 400 fëmijë të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, bën të ditur se aktiviteti u zhvillua në shëtitoren e sapondërtuar të plazhit.
“Durrës Marathon 2024” një tjetër aktivitet sportiv i këtij sezoni veror, që u zhvillua në shëtitoren e sapondërtuar të plazhit nga bashkia me mbështetjen e qeverisë, ku morën pjesë rreth 400 fëmijë të shkollave 9-vjeçare e të mesme, një event sportiv jo vetëm sfidues, por edhe argëtues për pjesëmarrësit dhe turistët”, deklaron Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako thekson se kjo maratonë ishte një “test event” që i paraprin “Durrës Marathon 2025”.
“Së bashku me kampionen e madhe Luiza Gega, presidentin e Federatës së Atletikës, Taulant Stërmasi, prefektin Emiljan Jani dhe drejtoreshën e ZVA, Amarilda Thërrmija, në ceremoninë e dhënies së medaljeve fituesve të Maratonës së Durrësit.
Kjo maratonë e organizuar nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Federatën e Atletikës, një tjetër aktivitet i rëndësishëm i këtij sezoni veror, është një “test event” për ti paraprirë “Durrës Marathon 2025”.
“Durrës Marathon 2024 dhuroi çaste emocionuese dhe ishte një event sportiv jo vetëm sfidues, por edhe argëtues për pjesëmarrësit”, shkruan Sako./ata