Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të Programit Ekipet Sportive në Shkolla, të mbajtur në Vlorë si Qyteti Evropian i Sportit 2024.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Bora Muzhaqi u shpreh se ishte veçanërisht e lumtur prej angazhimit maksimal të nxënësve në Programin Ekipet Sportive në Shkolla, gjë që ndikon si në mirëqenien e tyre fizike, ashtu edhe atë mendore.
Me anë të Programit Ekipet Sportive në shkolla, Muzhaqi shprehet se është realizuar vizioni i kryeministrit Rama për masivizimin e sportit.
“Vizioni i kryeministrit Rama për masivizimin e sportit tashmë realitet për të dytin vit radhazi me anë të “Programit Ekipet Sportive në Shkolla””, duke shtuar se “mbi 10 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë kanë zhvilluar stërvitje 3 herë në javë, me pajisje dhe uniforma falas të siguruara këto të fundit nga qeveria.”
Pjesë e ativitetit ishin edhe zv/ministri i Sportit Endrit Hoxha, zv/ministrja e Turizmit Vilma Bello, kryetari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha dhe presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, të cilët përshëndetën fëmijët dhe të rinjtë.
Për të siguruar mbarëvajtjen e programit, u investua gjithashtu edhe në infrastrukturë sportive për të mundësuar siguri dhe cilësi të zhvillimit të sportit teksa nxënësit zbulonin talentet e tyre.
Me mijëra nxënës nga e gjithë Shqipëria ishin pjesë e eventit përmbyllës, ku parakaluan në shëtitoren e qytetit me uniformat e qarqeve përkatës dhe pankarta nëpër duar.
Kujtojmë që ky program ofrohet me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare dhe zbatohet për të dytin vit radhazi./ata