Fluksi i lartë i turistëve që po vizitojnë vendin po josh gjithnjë e më shumë pronarët e banesave karakteristike t’i shndërrojnë ato në bujtina.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ndau sot pamje nga bujtina “Mustaqet e Gogos” në Përmet, e ngritur nga mbesa e kësaj shtëpie.
“”Mustaqet e Gogos”, bujtina që përveçse atraksion, po kthehet edhe në një toponim interesant të Përmetit, rikrijuar nga një banesë e vjetër, por me vlera të mëdha të traditës, nga mbesa e kësaj shtëpie dhe bashkëshorti i saj shkodran”, shkruan ministrja Kumbaro.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve, që të ardhurat e mbi 20 viteve punë t’i investojnë në shtëpitë e prindërve apo gjyshërve të tyre. Sipas kryeministrit, nëse emigrantët vijnë dhe investojnë kursimet e tyre në këto shtëpi do të fitojnë më shumë se në emigracion.
Gjatë takimit me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, kryeministri Rama bëri të ditur se po hartohet një program i veçantë për të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të investojnë kursimet e tyre në fshatra dhe zona malore të Shqipërisë, për t’i kthyer shtëpitë dhe trojet atje, në hallka të zinxhirit tonë të ri të turizmit./ata