Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero tha se, “informaliteti lidhet me mosdeklarimin e pagave reale dhe është një fenomen që prek jo vetëm stabilitetin ekonomik por edhe jetën e përditshme të qytetarëve”.

E pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, mbi informalitetin ajo theksoi se, “mosdeklarimi i pagës ndikon drejtpërdrejtë në uljen e të ardhurave në buxhet, dobësimin e sigurimeve buxhetore, apo dhe konkurrencën e parregullt në tregun e punës”.

Vjero bëri të ditur se, përballë kësaj sfide, qeveria ka hartuar dhe po diskuton me biznesin Strategjinë 2024 -2027, për formalizimin e ekonomisë. Kjo strategji është një plan masash që ka për qëllim goditjen e informalitetit dhe deklarimin e pagave. Ajo targeton edhe sektorët ku informaliteti është më i prekshëm.

“Objektiv i Strategjisë është që në periudhë afatmesme të përfshijmë mbi 40 mijë të punësuar të rinj në sistemin e sigurimet shoqërore dhe të rrisim deklarimin për 100 mijë të punësuar aktual”, tha ajo.

Sipas saj, janë një sërë masash për ndërgjegjësimin nëpërmjet fushatave të ndryshme për rëndësinë e deklarimit, fuqizimin e kontrolleve dhe zvogëlimin e parasë cash në ekonomi.

“Lufta ndaj informalitetit nuk është një çështje fiskale por përpjekje për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme efikase në bashkëpunim me biznesin”, deklaroi Vjero./ata