Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të një qytetari pasditen e të shtunës nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare, duke e dënuar ashpër arrestimin e tij.

Në një komunikatë për media, MPJD informon se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar të shtunën për arrestimin e Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdare, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë joshqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm MPJD e Kosovës e quan vendim arbitrar dhe destruktiv.

MPJD ka bërë të ditur se ka njoftuar SHBA-në, Britaninë e Madhe e shtetet e tjera për këtë rast.

“Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi menjëherë i ka njoftuar misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftimin e MPJD.

“MPJD për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e Kuint-it në Kosovë dhe do t’i mbajë të informuara rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë”, bëhet e ditur në njoftim.

/KosovaPress/