Grupi i parë i besimtarëve muslimanë u nis për në Haxh nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se sivjet nga Kosova për në Haxh udhëtojnë 1.576 besimtarë, 944 burra dhe 632 gra. Në grupin e parë udhëtojnë 215 besimtarë, prej të cilëve 136 burra dhe 79 gra.

Fatiu, një i ri nga komuna e Skenderajt, i cili jeton në Suedi, shkon për herë të dytë në Haxh.

“Herën e parë kam qenë për veten time, këtë herë po shkoj për babain që ka vdekur. Kam fatin që kam pasur mundësinë të shkoj me nënën time, është një ndjenjë që jo të gjithë e kanë atë. Përpos asaj, të kryesh bedelin për babain është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet”, thotë ai.

Fatos Rexhepi nga Rahoveci po shkon në Haxh me gruan e tij.

“Për herë të parë po shkoj në haxh. Ndjenja është e veçantë dhe e papërshkrueshme. Mezi po presim të arrijmë. Jam me bashkëshorten, vitin e kaluar i kam pasur edhe prindët, po e përmbushim fenë me shtyllën e pestë. Inshallah Allahu na e pranon të gjithë muslimanëve dhe neve”, u shpreh Rexhepi.

Fitim Gashi nga Drejtoria për Haxh dhe Umre e Bashkësisë Islame të Kosovës tregon se gjithçka është gati për nisjen e besimtarëve kosovarë për në Haxh.

“Deri më tani gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, pjesa dërrmuese e haxhinjve tashmë kanë kaluar kontrollin, kanë dorëzuar çantat. Fluturimi do të jetë në orën 10:55. Në këtë fluturim janë 7-8 komuna që janë pjesëtare, numri është 215”, tha Gashi.

Ai theksoi se sivjet haxhiu më i ri është një djalë 13 vjeç, ndërsa tre më të moshuarit janë 84 vjeç.

Grupi i dytë i besimtarëve niset sonte, ndërsa katër grupet e mbetura udhëtojnë nesër./aa