Ambasada e Türkiyes në Shkup, me rastin e “Ditës Botërore të Mëngjesit”, ka organizuar një takim mëngjesi.

Ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe mysafirë të tjerë morën pjesë në aktivitetin e mbajtur në rezidencën e ambasadës.

Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Ulusoy preku rëndësinë që i kushtojnë mëngjesit dhe kujtoi se Türkiye ka organizuar ngjarje në mbarë botën vitet e fundit për të promovuar shujtën e pasur të mëngjesit turk.

Duke vënë në dukje se vendet e Ballkanit që ndajnë lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Türkiyen janë të njohur me mëngjesin turk, Ulusoy tha se gjeografitë e Anadollit, Mesdheut, Egjeut, Kaukazit dhe Ballkanit kanë shumë ngjashmëri në traditat e tyre kulinare.

Duke theksuar se Türkiye është ndër vendet lidere në botë për sa i përket turizmit dhe se Maqedonia e Veriut është një nga vendet prioritare për Türkiyen në fushën e turizmit për shkak të afërsisë gjeografike dhe kulturore, Ulusoy tha: “Vitin e kaluar, afro 200 mijë turistë turq vizituan Maqedoninë e Veriut. Kjo do të thotë se afërsisht 20 për qind e turistëve që vizituan Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 ishin turq. Në të njëjtën kohë, gati 250 mijë turistë nga Maqedonia e Veriut vizituan Türkiyen vitin e kaluar. Shpresoj se ky numër do të vazhdojë të rritet me kontributet tuaja të çmuara”.

Duke dhënë informacion për mundësitë e Türkiyes në fushën e turizmit, Ulusoy vuri në dukje se përveç turizmit veror dhe dimëror, Türkiye ofron edhe një përvojë unike turistike kulturore.

Ai po ashtu tha se vendi është shndërruar së fundmi në një qendër globale për sa i përket turizmit shëndetësor.

“Në vitin 2023, 1,5 milion pacientë nga e gjithë bota vizituan Türkiyen për të marrë trajtim në degë të ndryshme të mjekësisë, duke forcuar pozicionin e Türkiyes si destinacioni kryesor në trajtimin mjekësor”, theksoi ambasadori turk.

Në kuadër të aktivitetit u mbajt edhe një program për promovimin e turizmit. Në program, prezantime kishin drejtoresha e marketingut të produkteve të Agjencisë së Zhvillimit të Turizmit Ceylan Şensoy, përfaqësuesi i Turkish Airlines Ersin Seyfula, përfaqësuesja e “Halk Sigorta” Elena Kuzmanova dhe Menaxherja e Përgjithshme e Hotel Aliba në Edirne Esra Göktepe Lynch./aa