Gadishulli i Karaburunit është një vend unik dhe mjaft tërheqës në vijën bregdetare shqiptare, e ndërkaq edhe më i paeksploruari.

Në morinë e gjireve detare që ka ky gadishull, si gjiri i Dafinës, gjiri i Anglezit, shpella e Haxhi Aliut, gjiri i Ariut etj., gjiri i Dafinës është një prej bukurive natyrore më të veçanta që ofron bregdeti jonian.

Kryeministri Edi Rama përmes një videoje ndan sot pamje nga kjo perlë e bregdetit shqiptar.

Këto vende dhe gjire të bukura mund të vizitohen përmes udhëtimeve me mjete lundruese.

Gjiri i Dafinës është një nga gjiret e strehuar pjesërisht në anën e jashtme të gadishullit të Karaburunit. Gjiri ka një plazh të vogël me guralecë dhe një shpellë detare të cektë gjysmë të zhytur. Ndodhet në zonën thelbësore të Parkut Kombëtar Sazan – Karaburun. Fundi i gjirit është i mbuluar kryesisht në alga të shëndetshme të gjinisë Posidonia, që është endemike e pellgut të Mesdheut. Vizitorëve që vijnë me mjete lundruese u rekomandohet një bovë lëkundëse paralajmëruese. Struktura e funddetit është zhavorr, ndaj ankorimi bëhet me vidhë spirale.

Gjiri i Dafinës ndodhet në pjesën perëndimore të Parkut Natyror të Karaburunit. Është i vetmi park detar në Shqipëri. Shtegu i Dafinës, ose i dy deteve, është një nga shtigjet mjedisore më tërheqëse për vizitorë vendas dhe të huaj, që mund të përshkohet në këmbë. Një nga periudhat më të mira për ta eksploruar këtë shteg është nga maji deri në tetor. Prej vitesh kjo zonë ishte e ndaluar të vizitohej, për shkak se shtrihej në një perimetër të sigurisë së lartë ushtarake. Sot ajo ka marrë vëmendjen jo vetëm të vizitorëve vendas, por edhe të turistëve që vijnë nga shtetet e ndryshme të botës.

Gjirit të Dafinës, më shumë ia shton bukurinë një shpellë që gjendet aty. Ajo është tepër e veçantë, sepse në brendësi të saj është krijuar një plazh unik.

Të notosh në brendësi të një shpelle është vërtet një fenomen që nuk mund ta gjesh lehtësisht në ndonjë vend tjetër. Imagjinoni një moment, ju mund të notoni në ujëra të kristalta, por pa u shqetësuar asnjë moment nga dielli dhe nga bota e jashtme.

Gjiri i Dafinës vjen si një ftesë natyrore për ta eksploruar dhe mahnitur me këtë bukuri përrallore që gjendet në perëndim të Karaburunit./ata