Banka e Shqipërisë po vijon programin vjetor e blerjes së valutës për nevojat e rezervës valutore në shuma të konsiderueshme, por ndikimi në kursin e këmbimit është i dobët.
Javën e kaluar Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e dytë për blerjen e euros, sipas kalendarit të parashikuar për vitin 2023.
Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej nëntë milionë eurosh. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 114.63 dhe 114.79 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 114.74 lekë.
Oferta në ankand rezultoi mjaft e bollshme, me një shumë totale të ofruar nga pjesëmarrësit në vlerën e 15.2 milionë eurove.
Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej pesë milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 114.74 lekësh.
Megjithëse në ankand u ble një shumë e konsiderueshme prej gjithsej 14 milionë eurosh, kursi i euros vazhdon të ketë një tendencë nënçmuese. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të premten euro u këmbye me 114.96 lekë, ndërsa ka vijuar rënien edhe në pjesën e parë të kësaj jave.
Të martën monedha europiane pësoi rënie të mëtejshme u këmbye me 114.16 lekë, duke iu afruar përsëri niveleve më të ulëta të regjistruara për vitin 2023. Kursi i këmbimit të euros preku nivelin më të ulët të këtij viti në datën 13 mars, në vlerën e 113.97 lekëve.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, vlera e parashikuar e blerjeve të euros parashikohet në intervalin midis 160 dhe 220 milionë eurove.
Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës vlerësohen në afërsisht 140 milionë euro. Këto shifra i referohen vetëm blerjeve të planifikuara për qëllimet e rritjes së rezervës valutore, por, në raste të veçanta, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë duke blerë ose shitur valutë për të shmangur çrregullimet në treg.
Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 16 ankande të blerjes së euros, që do të zhvillohen mes datës 17 shkurt dhe 20 dhjetor.
Në fund të muajit janar, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.93 miliardë eurove, në nivele të përafërta me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madhësia e rezervës valutore të Shqipërisë përgjithësisht vlerësohet nga institucionet e specializuara si mjaft e kënaqshme për mbulimin e nevojave të ekonomisë për valutë.
Ankandi i zhvilluar javën e kaluar ishte i llojit forward (për blerje në të ardhmen) njëmujor. Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë synon të zhvillojë më tej përdorimin e marrëveshjeve forward, që vlerësohen si një instrument që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.
Nga 16 ankande të parashikuara, gjysma e parashikohen me marrëveshje forward dhe gjysma me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit). Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka përdorur zakonisht marrëveshjet forward me afat njëjavor, ndërsa për vitin 2023 pritet që marrëveshjet forward do të kenë një afat më të gjatë, njëmujor./Monitor