Leku e ka nisur këtë javë me një vrull të ri forcimi në kursin e këmbimit ndaj euros.

 

Ditën e martë euro ka rënë përsëri poshtë kufirit të 111 lekëve, madje duke prekur një minimum të ri historik.

 

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 110.94 lekë, nivel lehtësisht më i ulët se ai i mëparshmi prej 110.98 lekësh, që ishte shënuar në datën 26 prill. Sipas burimeve nga tregu i këmbimeve valutore, situata në tregu vazhdon të karakterizohet nga prurje të mëdha të euros.

 

Këto prurje kanë tendencën të shtohen veçanërisht pas fundjavave, që shoqërohen me një numër të konsiderueshme vizitorësh sidomos nga Kosova dhe vendet fqinje. Tendencat e kursit të këmbimit në vija të përgjithshme ngelen të ngjashme me pjesën e dytë të muajit prill.

 

Në ditët e para të majit, euro shënoi një rritje të lehtë, duke arritur deri në nivelin e 113.32 lekëve. Burimet bëjnë të ditur se rritja e përkohshme e euros erdhi kryesisht si rezultat i blerjeve të realizuara nga njëra prej bankave tregtare.

 

Por, me tërheqjen e bankës në fjalë nga pozicioni në blerje, kursi i këmbimit të euros u është kthyer tendencave të mëparshme. Afrimi i sezonit veror, rritja e rolit të turizmit në prurjet valutore, por ndoshta edhe fushata zgjedhore kanë shtuar ofertën e monedhës europiane dhe kanë sjellë zhvlerësimin e saj në nivelet më të ulëta historike.

 

Forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor po luan një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Ky forcim ka amortizuar një pjesë të presioneve të jashtme inflacioniste dhe i ka lejuar Bankës së Shqipërisë të mbajë një ritëm më të ngadaltë të rritjes së normave të interesit në gjashtë muajt e fundit.

 

Leku i fortë po ndihmon edhe një numër të konsiderueshëm të huamarrësve shqiptarë që kanë hua në euro, por që të ardhurat e tyre i sigurojnë kryesisht në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, stoku i kredisë së pambrojtur në valutë (kredia në valutë të ndryshme nga ajo në të cilën huamarrësi siguron të ardhurat) arriti në rreth 130 miliardë lekë ose rreth 1.15 miliardë euro. Rënia në kursin e këmbimit të euros ka ulur vlerën e këstit të shprehur në monedhën vendase.

 

Vetë qeveria shqiptare ka pasur përfitime të konsiderueshme nga forcimi i lekut, në pjesën e portofolit të borxhit në valutë të huaj. Sipas Ministrisë së Financave, në fund të 2022 stoku i borxhit në valutë të huaj ra në rreth 646 miliardë lekë, 5.1% më ka krahasuar me një vit më parë, kryesisht si rezultat i mbiçmimit në lekut në kursin e këmbimit ndaj euros.

 

Por, forcimi i lekut po jep efekte negative në atë segment të ekonomisë që i ka të ardhurat në euro dhe shpenzimet në lekë, ku përfshihen sektorët eksportues të mallrave, shërbimeve apo familjet që përfitojnë remitanca.

 

Bizneset eksportuese në muajt e fundit janë shprehur gjithnjë e më të shqetësuara për efektet e zhvlerësimit të euros në biznesin e tyre dhe për këtë qëllim kanë zhvilluar në ditët e fundit takime me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë.

 

Banka e Shqipërisë ka bërë të qartë se nuk do të ndërhyjë në kursin e këmbimit, për sa kohë që Shqipëria adopton një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe vlerat e kursit reflektojnë faktorët thelbësore të kërkesës dhe ofertës në treg. Banka qendrore u ka sugjeruar eksportuesve të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, duke përdorur instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit./Monitor