Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për “Report” në Rai 3, theksoi sot se gazetaria duhet të flasë me fakte, jo të kthehet në një megafon apo një amplifikator i të gjitha kazanit të plehrave të politikës shqiptare.

Ndërsa gazetari italian tha se ish-ministri i Brendshëm është dënuar ndërsa më tej përmendi edhe ish-ministrin Xhafa. “Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj se si mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë. Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare”, tha Rama.

“Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra. Unë po flas për fakte. Opinionet janë një gjë, por kur flas për persona apo për çështje, flas për fakte. Pra, i grupit politik, se, çuditërisht programi “Report” është një megafon apo një amplifikator i të gjitha kazanit të plehrave të politikës shqiptare, të shtypit shqiptar, që e kanë bërë palën që i prodhon, një palë kaq humbëse, saqë sot, shefin e madh e kanë në një ballkon, në arrest shtëpie për korrupsion. Mirë? Dhe ju i merrni këto gjëra, i eksportoni në Itali, i hidhni atje, pastaj vini sërish këtu. Dhe jepi, emra, emra, emra”, tha Rama.

“Fatmir Xhafa është njeriu që ka udhëhequr të gjithë përpjekjen tonë krah partnerëve ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Një reformë drejtësie që është duartrokitur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe që po jep rezultate, sepse që nga momenti që Shqipëria u bë e pavarur nga Perandoria Osmane e deri në ditët tona, për herë të parë në historinë tonë, politika nuk ka më aftësinë për të kontrolluar sistemin gjyqësor. Për herë të parë në historinë tonë, ka subjekte politike të lidhura me qeverinë, me këtë shumicë që e deshi këtë reformë, të lidhur edhe me palën tjetër, që kanë dalë përpara gjykatësve dhe gjyqtarëve të kësaj strukture të posaçme. Dhe ju e merrni këtë emër, të një personi që kurrë, kurrë nuk është akuzuar me asnjë fakt në dorë për korrupsion ose për bashkëpunim për çfarëdolloj gjëje”, nënvizoi Rama.

“Po vij te konceptet tuaja për demokracinë dhe lirinë. Për mua, përfaqësoni një prej realiteteve më të padiskutueshme të lirisë së plotë, në rregull? Dhe ankoheni pastaj, ankoheni se gjendeni nën trysni për këtë liri. Ju i jepni vetes të drejtën të thoni gjithçka doni për njerëzit. Atëherë, merrni sekretarin e përgjithshëm të qeverisë dhe thoni “avokati i narkotrafikantëve më të fuqishëm”. Gënjeshtër.

Kështu, i manipulonte Enver Hoxha njerëzit. Po, është avokat, mund ta bëjë, mund të mbrojë kë të dojë. Të mbrosh një trafikant droge nuk do të thotë të jesh trafikant droge. Enver Hoxha dhe komunistët kështu i manipulonin njerëzit. Fiks kështu. Është metoda për të krijuar pasiguri dhe për të hedhur dyshime për persona që janë vënë në skenarin tuaj. Po ç’lidhje ka kj?! Ç’hyn kjo këtu? Ju flisni, po ç’hyn Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, figura institucionale numër një e vendit. Atëherë, nëse bëhet një marrëveshje ndërkombëtare, në këtë rast si marrëveshja me Italinë, Sekretari i Përgjithshëm bën pjesë në grupin e punës për marrëveshjen. Pra, ç’hyn fakti që deri 10 vjet më parë, 11 vjet tanimë, ai kishte shkuar në Itali, si të gjithë shqiptarët që shkuan atje, në kërkim të një të ardhmeje. Bën shkollën në Itali për drejtësi, nis një praktikë avokatie në Itali, që ishte diçka e pabesueshme asokohe për një shqiptar”, tha Rama.

“E jashtëzakonshme. Bën avokatin penalist. Punon për demokracinë, sepse pa figurën e avokatit, demokracia nuk ekziston dhe sot vihet në shënjestër si një njeri i lidhur – i lidhur – me trafikantët më të fuqishëm të drogës dhe kur unë ju pyes, më falni, po çfarë është kjo? Ju më thoni, letrat. Në rregull, po a e dini ju, që figurat më të rëndësishme, nga më të rëndësishmet, të historisë franceze, të Europës; të ministrave të Miteranit dhe të tjerëve, vetë Miterani, kanë qenë avokatë penalistë. Kanë mbrojtur kriminelë lufte, kanë mbrojtur njerëz që kanë ngrënë fëmijë në Afrikë. Askush nuk ka guxuar që, duke gjykuar jetën e tyre më pas, të thonin: “Ee, ky është ai që ka lidhje me ata që hanë fëmijë””, shtoi Rama.

Duke folur për çështjen e Artur Shehit, dhe akuzave të ngritura nga Report, Rama tha se “për të ardhur te rasti konkret, keni thënë një tjetër gënjeshtër totale. Edhe këtu keni gënjyer, sepse gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është një gjë e ditur, ju e dini, të gjithë e dinë, por ai program i Report-it e nxori në pah në të gjithë formën dhe thellësinë e vet këtë thënie. Gjysmë të vërtetat, krejtësisht gënjeshtra. Unë i kam lexuar të gjitha dokumentet, falë jush, sepse ju nuk ia lexuat publikut italian, se aty i kishit të tre. Atëherë, këtu bëhet fjalë për një histori krejt ndryshe dhe ju flisni edhe njëherë për një narkotrafikant, flisni për mjë person…Flet për një njeri që unë nuk e njoh. Mund edhe ta njihja, nuk është… por nuk më rezulton të jetë një person i dënuar, nuk më rezulton. I dërguar për gjykim është një gjë, i dënuar është gjë tjetër”, tha Rama.

“E dyta, flisni për diçka që është e pavërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ndërveprim, asnjë ndërveprim, në rolin e avokatit, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me këtë subjekt kur ishte avokat. Dhe këtë nuk e thatë në program.Koka juaj është e mbushur plot me emra dhe nuk po dini më as ku t’i vini. Unë nuk dua t’ia di për emra. Nuk më interesojnë emrat, nuk i njoh. Unë flas për fakte.

Ju nuk flisni për faktet, ju flisni vetëm për gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.

Ç’hyn tani një avokat, që është marrë nga një grup personash të besuar të një të vdekuri që kishte pasur prona në Shqipëri, me origjinë shqiptare, i cili kishte prona në Shqipëri?!

Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje?! Ç’lidhje ka?! Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme! Mirë? Sepse nuk përkon me të vërtetën dhe përbëhet nga gjysmë të vërteta. Më flisni për ministrin e tretë të Brendshëm që është sot dhe më thoni, “në një telefonatë midis dy…”. Ku di gjë unë për telefonata… Jo, më falni. Ku di gjë unë për telefonatat midis personave që mund të thonë, “O, e takova unë atë. Kam takuar Edi Ramën, më tha, i thashë…”. Po ku e di unë këtë? Po si mund t’i nxirrni kështu këto gjëra? Ajo telefonatë, për të cilën folët, duhet jetë e lidhur me fakte. Pastaj, nëse faktet e mbështesin, në rregull. Po si mund të merren në dosje telefonata, kjo, ajo, dhe të dalësh e t’i thuash publikut, “ka pasur një telefonatë”. Ka pasur një telefonatë? Po çfarë pastaj? Unë hap telefonin – dhe ka raste që nuk njoh as numrat – hap telefonin dhe flas. Fakti duhet ndjekur. Domethënë, çfarë ka ndodhur më pas? Unë, tani, po mësoj çfarë do të thotë demokraci.

Duke ju parë juve, unë po mësoj çfarë do të thotë ta mbrosh demokracinë nga gjysmë të vërtetat. Sepse, në emër të demokracisë dhe të lirisë, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat ditët e sotme kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme. I kuptoj rrjetet sociale, i kuptoj, po ky është shërbimi publik italian. Po si bëhet kjo, si bëhen gjëra të tilla?!”, shtoi Rama.

“Ju nuk më keni rreshtuar deri tani, të paktën deri tani, asnjë fakt. Ju më keni rreshtuar… Jo, jo, më thoni ju ku janë faktet. Ju më keni rreshtuar…Pra, është fakt që ju thoni që dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin, nuk e vë në diskutim. Në rregull? Por, ta marrësh këtë fakt, ta sjellësh këtu. Domethënë, të udhëtoni nga Italia, të vini tek unë dhe të më thoni “shumë eksponentë”. Jo, jo. Ju thatë, “shumë eksponentë të qeverisë suaj janë vërtetuar se kanë pasur lidhje me mafien”. E thatë ju. Kush? Më thoni një emër, që ka kaluar në gjykim dhe gjithë pjesën tjetër – unë nuk komentoj – po që nuk është provuar e as nuk është dënuar për bashkëpunim mafioz, që të jemi të qartë. Jo, jo, ju mund të bëni gjykatësin mbi gjykatësit, është e drejta juaj”, tha Rama./ata