Claudia Sheinbaum është gruaja e parë e zgjedhur në postin e presidentit të Meksikës në një fitore historike, sipas BBC.

Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës tha se rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakja 61-vjeçare e Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.

Kjo i jep asaj një epërsi prej gati 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez.

Sheinbaum do të zëvendësojë mentorin e saj, presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor.

Claudia Sheinbaum, një ish-shkencëtare e energjisë, ka premtuar se do të vazhdojë të çojë përpara “progreset” e bëra nga López Obrador.

Përpara se të kandidonte për presidente, Sheinbaum ishte kryetare e Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend dhe që shihet si hapja e rrugës për presidencën.

Sheinbaum, gjyshërit e nënës hebrenj të së cilës emigruan në Meksikë nga Bullgaria duke ikur nga nazistët, pati një karrierë të shkëlqyer si shkencëtare përpara se të merrej me politikë. Gjyshërit e saj nga babai janë me prejardhje nga Lituania.

Të dy prindërit e saj ishin shkencëtarë dhe Sheinbaum studioi fizikë përpara se të merrte një doktoraturë në inxhinierinë e energjisë.

Ajo kaloi shumë vite në një laborator kërkimor të njohur në Kaliforni duke studiuar modelet meksikane të konsumit të energjisë dhe u bë eksperte për ndryshimet klimatike.

Në vitin 2018 ajo u bë kryebashkiakja e parë e Meksikos, një post që e mbajti deri në vitin 2023, kur u largua për të kandiduar për presidente./ata